Docstoc

Demokracia-në-udhëkryq

Document Sample
Demokracia-në-udhëkryq Powered By Docstoc
					              PROMEMORIE PROGRAMATIKE
            Demokracia shqiptare në udhëkryq




Address: 2919 21st Avenue, Room B7,
Astoria, NY, 11105.
Tel: (646) 610-2992
Email:fshad@fshad.org
Preambula
   Ngjarjet e fundit dhe situata e rëndë e krijuar në Tiranë dëshmojnë qartazi se rendi demokratik
në Shqipëri është i rrezikuar. Sistemi aktual politik ka dështuar sepse nuk arrin të parandalojë
pështjellime të tilla periodike, të cilat në çdo moment rrezikojnë jo vetëm rendin demokratik por
edhe ekzistencën afatgjatë të shtetit shqiptar. Këto lloj pështjellimesh shoqërohen rregullisht nga
dhuna dhe nuk i shërbejnë përmbushjes së detyrës kryesore të klasës politike shqiptare,sigurimit të
një jete më të mirë për qytetarët përmes forcimit të rendit demokratik dhe promovimit të vlerave
demokratike.

  Populli shqiptar është një popull që e do lirinë. Shqiptarët kanë dëshmuar historikisht se ata
kanë ditur të mbrojnë e zhvillojnë vlera demokratike. Në një formë a në një tjetër aspekte
themelore të demokracisë si zgjedhjet e lira, sundimi i të drejtës,liria e shprehjes, ndarja e
pushteteve dhe qytetaria kanë qenë të pranishme në historinë shqiptare.

  Historia na kujton gjithashtu se mungesa e demokracisë dhe bjerrja e vlerave të mishëruara në
rendin demokratik rrezikojnë ta fusin popullin shqiptar në rrugën pa krye të diktaturës,
autoritarizmit, kultit të individit, rrënimit ekonomik të vendit, dhunës e gjakderdhjes.

  Demokracia është sistemi më i mirë për shqiptarët jo vetëm për shkak të afinitetit të tyre historik
me vlerat e saj por edhe sepse kultivimi e konsolidimi i saj garanton kushtet më të mira për
zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të Shqipërisë si dhe përmbushjen e aspiratave të
shqiptarëve.

  Forumi Shqiptaro-Amerikan për Demokraci synon të promovojë vlerat demokratike në
shoqërinë shqiptare, sundimin e të drejtës, zgjedhjet e lira e të ndershme, respektimin e të drejtave
themelore të njeriut, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e shtetit.

   Për ne demokracia përfaqëson jo vetëm një rend politik i cili u jep mundësinë shqiptarëve të
jetojnë të lirë e me rregulla të qarta por edhe kultivimin dhe mbrojtjen e një bashkësie
institucionesh vendimmarrëse të cilat evokojnë respektin e të gjithë qytetarëve, si dhe promovojnë
sundimin e të drejtës ligjore.

Demokracia në rrezik
   Njëzet vjet më parë, kur shqiptarët rrëzuan murin e njërës prej diktaturave më të egra në botë,
ata prisnin që drejtuesit e tyre të ndërtonin një regjim demokratik vlerash i cili duhej të mishëronte
cilësitë më të mira të shqiptarëve.

  Fatkeqësisht, njëzet vjet më vonë, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATOS-s dhe ka bërë disa
hapa përpara, demokracia dhe vlerat që ajo përcjell rrezikohen nga paaftësia e klasës politike për
kompromis, korrupsioni masiv, dhuna dhe mungesa e zhvillimit ekonomik.

  Shqipëria është sot vend anëtar i NATOS dhe synon anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin
Europian. Rrjedhimisht ndërtimi i një demokracie funksionale moderne diktohet jo vetëm nga



                                                  2
vokacioni pro-Europian i shqiptarëve por edhe nga pozita gjeo-politike e Shqipërisë dhe fryma që
përshkon bashkësinë ndërkombëtare në këtë fillim shekulli.

     Demokracia është vlerë e të gjithë shqiptarëve, dhe është detyrë e të gjithëve ti mbrojmë,
kultivojmë e forcojmë vlerat demokratike sepse forcimi dhe ruajtja e proceseve dhe institucioneve
të shëndetshme demokratike janë kyçi i një zhvillimi politik, ekonomik e njerëzor të qëndrueshëm
të Shqipërisë.

  Pa kultivim të demokracisë nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar e po ashtu nuk mund të ketë
vazhdimësi të proceseve integruese në Bashkimin Europian.

  Forcimi i rendit demokratik nuk është vetëm një detyrim ndaj aspiratave historike të
shqiptarëve, por edhe nevojë e domosdoshme për vazhdimësinë e rrugës integruese të Shqipërisë
në shekullin e XXI-të.

Pse rrezikohet demokracia në Shqipëri?
  Shqiptarët kanë një raport të veçantë miqësie me popullin amerikan, i cili është farkëtuar nga
mbrojtja e të drejtës demokratike të vetëvendosjes së shqiptarëve nga Presidenti Uillson , e më pas
nga frymëzimi i përbashkët demokratik i dy popujve tanë.

  Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë së bashku me Bashkimin Europian aleati strategjik më i
rëndësishëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është një nga bashkësitë etnike më të suksesshme në SHBA e si i
tillë ka mundur të vlerësojë avantazhet e një kulture demokratike të zhvilluar e të një shoqërie e
cila e ruan dhe e kultivon demokracinë si shoqëria amerikane.

   Suksesi i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dëshmon se në një sistem të shëndetshëm demokratik,
me institucione të forta e me rregulla të qarta për të gjithë, shqiptarët janë të aftë të bëhen pjesë
vitale e një shoqërie të hapur demokratike ku sundon e drejta ligjore e ku respektohen të drejtat e
individit.

   Abraham Linkoln ka thënë se demokracia është rendi i popullit, i ndërtuar për popullin e që
legjitimohet prej popullit. Si Shqiptaro-Amerikanë ne mendojmë së është detyra jonë të
kontribuojmë në arritjen e idealeve demokratike të popullit shqiptar duke nxitur debatin paqësor
midis palëve, duke i dhënë shtysë ndërtimit të institucioneve demokratike funksionale, duke
promovuar një komunikim demokratik të shëndetshëm si dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi
midis shoqërive të të dyja vendeve.

   Ne mendojmë se demokracia në Shqipëri sot rrezikohet nëpërmjet manifestimit të disa
fenomeneve tejet negative si korrupsioni, funksionimi i çalë i administratës shtetërore, ngërçi i
sistemit politik, dobësia e shoqërisë civile e varësia e saj nga politika, dhe mungesa e kultivimit të
një kulture politike demokratike.




                                                   3
  Shpeshherë, këto kërcënime ndaj demokracisë dhe lirisë shoqërohen nga promovimi i dhunës,
mungesa e elasticitetit politik dhe mungesa e tolerancës. Moskonsolidimi i këtyre vlerave
demokratike sjell si pasojë thellimin e krizës së demokracisë dhe rrezikun e dështimit të shtetit.

    1.   Paaftësia e administratës shtetërore

   Dhuna politike që përshkon politikën shqiptare na tregon edhe një herë se shteti shqiptar mbetet
i dobët dhe i pafuqishëm për të përballuar kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Lufta e forcave politike
për pushtet krijon përçarje midis palëve, gjendje konflikti të vazhdueshëm dhe nuk kontribuon në
ndërtimin dhe konsolidimin e një administrate shtetërore të aftë, efektive dhe jo të politizuar. Klasa
politike shqiptare shfaq një paaftësi të theksuar për të prodhuar zhvillim demokratik e për të
forcuar shtetin. Administrata shtetërore është në pjesën më të madhe e politizuar, e paaftë për tu
përballur me problemet moderne të shoqërisë dhe në përgjithësi nuk i përmbush detyrimet që ka
ndaj qytetarit. Politika e përdor administratën për të kënaqur mbështetësit politikë duke krijuar
kësisoj një administratë thellësisht të korruptuar,arrogante, të pakualifikuar dhe pa kurrfarë
ndjenje të shërbimit publik. Kjo paaftësi çon në humbjen e besimit të qytetarëve tek strukturat
shtetërore dhe krijimin e një kulture të gjerë korruptive.

   Paaftësia, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria që kanë mbuluar administratën shtetërore si në
nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, janë shenja shqetësuese të dështimit të shtetit, e cila do të
ishte një humbje shumë e madhe për të gjithë shqiptarët.

    2. Një sistem jo funksional

   Një demokraci funksionale kërkon një sistem partiak efektiv, i cili duhej të bazohej në përballjen
ideologjike mes palëve, si dhe respektimin e vlerave demokratike.

  Partitë politike nuk i qëndrojnë një sfondi të qartë ideologjik, i cili të shërbejë si udhërrëfyes për
qytetarët por udhëhiqen nga interesa pragmatike të çastit. Partitë politike nuk luajnë rolin që duhet
për të kultivuar dhe forcuar vlerat demokratike në shoqëri por përkundrazi nxisin konfliktet dhe
ndasitë midis palëve. Funksionimi i tyre mbështetet në mbrojtjen e interesave të një grupi të
ngushtë mbështetësish e jo në arritjen e objektivave ideologjikë të deklaruar.

   Po ashtu, organizimi i tyre i brendshëm është piramidal dhe i bazuar në kultin e individit.
Vendimet merren nga individët që drejtojnë piramidën dhe grupet e lidhura me ta pa një proces
demokratik transparent. Ekzistenca e organeve drejtuese është formale dhe në thelb partitë janë
institucione jo funksionuese .

   Për hir të luftës për pushtet, politika nuk ngurron te nxisë dhunën e kaosin dhe ndërhyn
rregullisht në funksionimin e institucioneve të pavarura. Produkti i dhunshëm i këtij lloj
funksionimi partiak nuk mund të jetë kurrsesi në interes të aspiratave demokratike të shqiptarëve.

  Për rrjedhojë, është krijuar një perceptim i gjerë në popull që politika nuk është në anën e
qytetarëve. Kjo bjerrje e besimit të qytetarëve tek përfaqësuesit e vet politikë krijon një hendek
midis politikës dhe qytetarit i cili nuk lejon kultivimin e vlerave të vërteta demokratike dhe nxit
përdorimin e dhunës.


                                                   4
  Politika shqiptare me lojën e saj meskine për pushtet dhe me papërgjegjshmërinë e skajshme që
ka treguar këto njëzet vjet po dëshmon dita ditës se nuk mbron interesat e qytetarëve.

   3.     Dobësia e sistemit ekonomik

  Demokracia është një proces politik i cili duhet mbrojtur si një nga vlerat më të vyera për
shqiptarët. Demokracia shqiptare sot rrezikohet nga korrupsioni masiv në çdo qelizë të shtetit,
mungesa e një strategjie ekonomike për zhvillim afatgjatë dhe nga paaftësia e klasës politike për të
prodhuar ide të reja për zhvillim.

  Korrupsioni endemik nuk është tregues i mungesës së moralit të qytetarëve, por është pasojë e
politikave të pafrytshme dhe i një sistemi politik të paaftë dhe pa vullnet për të penguar abuzimin e
pushtetit dhe për të luftuar korrupsionin.

  Një shtet i cili vazhdimisht rrezikohet nga pakënaqësia e gjerë popullore me politikën dhe nga
pamundësia ekonomike e shumicës së qytetarëve është një shtet që rrezikon të zhduket.

   Ekonomia shqiptare nuk ka një profil të qartë të vetin dhe është ushqyer deri më sot nga prurjet
e emigrantëve. Organizmat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin se zvogëlimi organik dhe i
pritshëm i tyre si dhe efektet e krizës ekonomike që ka përfshirë Europën kanë zvogëluar të
ardhurat e shtetit dhe rrezikojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.

   Klasa politike shqiptare nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ti dhënë një profil të qartë
ekonomik vendit dhe ka ndërtuar një sistem oligarkik i cili pengon konkurrencën e lirë dhe
formimin e një klase të mesme të qëndrueshme. Si pasojë qeveritë janë gjithmonë në kufi të
humnerës ekonomike dhe të trazirave politike që i shoqërojnë ato.

    Megjithë hapat në krijimin e disa institucioneve që i shërbejnë transparencës, organizmat
ndërkombëtare ende e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet më problematikë në këtë drejtim.

  Përtej retorikës, klasa politike aktuale shqiptare nuk ka paraqitur një vizion të qartë për
zhvillimin ekonomik të vendit i cili të luftojë korrupsionin endemik, të garantojë të drejtën e çdo
individi për të arritur suksesin ekonomik si dhe të kontribuojë në zhvillimin demokratik të vendit.

        4. Shoqëria Civile: E dobët dhe e varur nga politika

   Ndërtimi i një demokracie funksionale kërkon ekzistencën e një shoqërie civile të gjallëruar e të
pavarur, e cila të luajë edhe një rol informues për qytetarin por edhe të shërbejë si përçuese e
vlerave kyçe të demokracisë.

  Deri nga gjysma e viteve ’90, Shqipëria karakterizohej nga një mungesë e theksuar tradite dhe
kulture për sa i përket organizatave të pavarura shoqërore dhe qytetare.

  Paralelisht me ndryshimet politike dhe ekonomike, Shqipëria ka përjetuar një gjallërim i
shoqërise civile gjatë dy dekadave të fundit.




                                                  5
   Ky fenomen pasqyrohet edhe nga rritja e madhe e numrit të OJF-ve të regjistruara si dhe nga
zgjerimi i problematikave të trajtuara nga to, duke përfshirë tema si: barazia dhe dhuna gjinore, të
drejtat e njeriut, degradimi i ambjentit, korrupsioni, arsimimi, shërbimet publike, etj.

  Nga ana tjetër, modeli monist i levave të partisë ende reflektohet në mënyrën e funksionimit të
shumë prej tyre.

   Pa neglizhuar vlerat dhe arritjet e disa nismave , vërehet që në Shqipëri kultura qytetare mbetet
e dobët dhe zhvillimi i këtyre oranizatave vazhdon të hasë në pengesa të cilat burojnë nga një sërë
faktorësh në nivelin administrativ, organizativ, dhe financiar.

   Shumë nga organizatat e formuara vuajnë nga një krizë legjitimiteti e lidhur me veprimtarinë,
pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre në shoqëri.

   Efektiviteti i tyre kërcënohet nga kapaciteti i ulët institucional në fushën e manaxhimit të
burimeve njerëzore dhe financiare, të organizimit të brendshëm të dobët, mungesa e kapacitetit për
identifikimin e nevojave dhe të ndërhyrjeve adekuate.

   Qëllimet e projekteve shpesh nuk realizohen për shkak të lidhjeve të dobta dhe jo gjithmonë të
rregullta të administratorëve me anëtarët, klientët dhe publikun e gjerë.

   Gjithashtu varësia nga burime financiare të huaja ndikon thellë në jetëgjatesinë si dhe pavarësinë
e tyre në hartimin e prioriteteve. Kjo sjell shkëputjen nga nevojat reale të shoqërisë.

  Si pasojë, qytetarët e shohin shoqërinë civile më shumë si një zgjatim të kampeve politike
përkatëse se sa një strumbullar të kultivimit të demokracisë dhe respektimit të rregullave.

   Pra, shoqëria civile në pjesën më të madhe nuk e plotëson misionin e saj për tu bërë mbrojtëse e
të drejtave të qytetarëve kundrejt paaftësisë dhe mosfunksionimit normal të politikës.

    5.   Demokracia si bashkësi vlerash kulturore, shoqërore e politike

  Për të kapërcyer gjendjen e vështirë në të cilën gjendet vendi, Shqipërisë i nevojitet zhvillimi
gradual i institucioneve demokratike, një ekonomi e qëndrueshme e cila të favorizojë krijimin e një
shtrese të mesme, përvetësimi i konceptit të sundimit të së drejtës ligjore si dhe krijimi i një kulture
politike demokratike.

  Sidomos në kushtet kur demokracia është në fillimet e veta siç është rasti i Shqipërisë, prania e
proceseve zgjedhore nuk është provuar e mjaftueshme për të garantuar mbijetesën e demokracisë.

  Një shoqëri demokratike e shëndetshme lulëzon kur ekziston një kulturë shoqërore e cila
inkurajon besimin midis njerëzve, tolerancën, përkushtimin dhe vetëpërmbajtjen ndërsa shkrihet si
bora në diell në një mjedis ku dominojnë dhuna, urrejtja, dyshimi, kulti i individit dhe kotësia.

  Ndërtimi i një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme kërkon kultivimin e disa vlerave
kulturore në shoqëri të cilat janë pjesë e domosdoshme e rendit demokratik. Forcimi dhe kultivimi i
përhershëm i këtyre vlerave është një nga aspiratat më të forta të shqiptarëve.


                                                   6
  Suksesi i komunitetit shqiptaro-amerikan por edhe i shumë shqiptarëve të emigruar në vende
me demokraci të zhvilluar tregon qartë se adoptimi i këtyre vlerave demokratike është në interesin
më të mirë të Shqiptarisë.

   Mirëpo, shqiptarëve u duhet të përballen përditë me një klasë politike e cila nuk e inkurajon
dialogun demokratik, mirëkuptimin reciprok, kompromisin politik dhe mbrojtjen e të drejtave të
individit.

   Mosrespektimi i këtyre vlerave në diskutimin publik ul besueshmërinë e politikës dhe rrezikon
të shkatërrojë demokracinë e re shqiptare.

Çfarë kërkon Forumi Shqiptaro-Amerikan për Demokraci
  Dhuna periodike e cila përfshin shoqërinë shqiptare tregon brishtësinë e shtetit dhe
pamundësinë e organeve kompetente për të funksionuar normalisht me sistemin politik aktual.
Mosfunksionimi i shtetit është një simptomë tepër shqetësuese për të ardhmen e demokracisë në
Shqipëri.

   Ne kërkojmë që klasa politike shqiptare të ndërtojë institucione të qëndrueshme e të pavarura, të
krijojë një administratë shtetërore të aftë e efektive, të forcojë sundimin e e të drejtës, të
promovojë zhvillimin ekonomik të vendit duke nxitur lirinë e tregut por edhe duke krijuar rregulla
të qarta, të forcojë shtetin ligjor, si dhe të krijojë kushtet për dialog politik afatgjatë.

  Ne kërkojmë që politika të përfaqësojë denjësisht vlerat e kombit shqiptar, dëshirën e popullit
për liri, demokraci dhe të ndërtojë një shtet funksional e efektiv si rruga e vetme për tu integruar
në Europë.

  Ne kërkojmë të luftohet pa kompromis korrupsioni masiv i cili ka dobësuar shtetin shqiptar
duke ja pakësuar në minimum legjitimitetin në sytë e qytetarëve.

  Ne kërkojmë që dhuna politike të dalë njëherë e përgjithmonë nga repertori i partive politike në
Shqipëri dhe të gjitha palët ti zgjidhin mosmarrëveshjet nëpërmjet mjeteve politike.

  Ne kërkojmë që ligji të veprojë në mënyrë të barabartë për të gjithë.

   Ne kërkojmë që partitë politike të mbështesin një sistem politik efektiv, të promovojnë zgjedhje
të lira e të ndershme e të njohin sundimin e të drejtës.

  Ne kërkojmë që shoqëria civile të mos jetë e varur nga interesa të vogla por të luajë rolin e saj të
patjetërsueshëm në promovimin e kultivimin e vlerave demokratike.

  Ne kërkojmë që shoqëria shqiptare të kultivojë një kulturë demokratike të debatit, dialogut
politik dhe lirisë së shprehjes dhe mendimit duke eliminuar çdo formë dhune e përplasjeje.

  Ne kërkojmë që Shqipëria të konsolidojë një bashkësi vlerash demokratike, të ndërtojë një
demokraci funksionale dhe një shtet efektiv si dhe të garantojë të drejtat e liritë e të gjithë
qytetarëve si mënyra e vetme për të hyrë me dinjitet në Europë.


                                                   7
Veprimtaritë e Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci
Forumi Shqiptaro-Amerikan për Demokraci do të ketë një veprimtari e cila do të përfshijë ndër të
tjera:

   1) Monitorimin e gjendjes politike dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
   2) Evidentimin e përgjegjësive së atyre që rrezikojnë rendin demokratik në Shqipëri.
   3) Përkrahjen dhe bashkëpunimin me të gjitha ato segmenteve të shoqërisë shqiptare të cilat
      angazhohen të ndërtojnë një Shqipëri demokratike e moderne, me institucione funksionale
      dhe ku sundon barazia para ligjit në mënyrë që përballja politike ti shërbejë ndërtimit të një
      të ardhmeje demokratike për Shqipërinë e shqiptarët.
   4) Përfshirjen në debatin publik me qëllim promovimin e nevojës për të kultivuar vlerat
      demokratike.
   5) Promovimin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për vlerën thelbësore të ndërtimit dhe
      konsolidimit të rendit demokratik si zgjidhja më e mirë për shqiptarët.
   6) Favorizimin e një klime politike të qëndrueshme e cila të mundësojë zhvillimin e vlerave
      dhe institucioneve demokratike, sundimin e të drejtës dhe liritë e individit.
   7) Përpjekjen për të drejtuar debatin politik drejt problemeve madhore që u interesojnë
      shqiptarëve si konsolidimi i një sistemi politik demokratik, krijimi i një ekonomie të
      qëndrueshme me profil të qartë, sundimi i të drejtës dhe kultivimi i një grupi vlerash
      shoqërore e politike të frymëzuara nga demokracia.
   8) Gjallërimin e një shoqërie civile vitale e të pavarur nga interesat politike të palëve.
   9) Promovimin e respektit për shtetin dhe institucionet e pavarura duke ndërtuar ura
      bashkëpunimi me aktorë të shoqërisë shqiptare të cilët ndajnë të njëjtin interes për
      kultivimin e vlerave demokratike.




                                                 8

				
DOCUMENT INFO
Shared By:
Categories:
Tags:
Stats:
views:14
posted:9/18/2012
language:Latin
pages:8